Kica-Xhelili: “Hetove VV-në – të pret hakmarrja”

Kica-Xhelili: “Hetove VV-në – të pret hakmarrja”

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ashpër pas lajmit se dy hetues të Policisë së Kosovës, të cilët kishin hetuar rastin e Rozeta Hajdarit dhe Nagip Krasniqit, janë dënuar duke u larguar nga Njësia Kundër Korrupsionit, degraduar dhe njëri prej tyre është transferuar menjëherë para intervistimit të ish-ministres Hajdari.

Në një postim në Facebook, Kica-Xhelili e ka quajtur këtë një veprim hakmarrës nga pushteti dhe një sinjal të qartë për paralajmërim ndaj të gjithë atyre që tentojnë të hetojnë eksponentë të Vetëvendosjes.

“Kjo nuk është rastësi. Është mesazh: E heton VV-në – të pret hakmarrja. Kur policët ndëshkohen pse hetojnë qeverinë, demokracia nuk është më funksionale. Është fasadë.”, ka shkruar ajo.

Deputetja opozitare ka paralajmëruar se ky veprim është rrezik për sistemin demokratik, duke bërë krahasime me vendet autoritare si Hungaria, Rusia dhe Venezuela, ku sipas saj, “hetuesit e papërshtatshëm largohen, shtypen apo zëvendësohen”.

Ajo përfundon postimin me thirrjen për rezistencë:

“Sot degraduan dy hetues. Nesër mund të jetë një prokuror. Pasnesër – gjyqtari. Në fund, je ti në radhë nëse nuk je mjaftueshëm i dëgjueshëm. Prandaj zgjedhja është e thjeshtë: Ose je me ata që nënshtrohen. Ose je me ata që rezistojnë. MES NUK KA.”

Share This