KEK rrit prodhimin maksimal të energjisë elektrike pas rënies së temperaturave

KEK rrit prodhimin maksimal të energjisë elektrike pas rënies së temperaturave

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka njoftuar opinionin publik se, pas rënies së ndjeshme të temperaturave që nga data 19 dhjetor 2025, ka rritur në maksimum angazhimin operacional, duke operuar aktualisht me pesë njësi gjeneruese.

Sipas njoftimit të KEK-ut, si rezultat i këtij angazhimi, prodhimi ditor i energjisë elektrike ka arritur në rreth 20,640 MWh, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e stabilitetit të furnizimit me energji dhe qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës, në një periudhë me kërkesë të shtuar.

KEK sqaron se në kushte normale operon me katër njësi gjeneruese, ndërsa një njësi mbahet si rezervë e nxehtë për nevoja teknike dhe mirëmbajtje periodike. Megjithatë, pavarësisht moshës së avancuar të stabilimenteve, falë angazhimit të jashtëzakonshëm të stafit teknik dhe përkushtimit të menaxhmentit, është bërë e mundur operimi me pesë njësi gjeneruese, përjashtuar dy ndërhyrje të shkurtra teknike në njërën prej njësive.

“Korporata Energjetike e Kosovës mbetet e përkushtuar të mbajë në operim sa më shumë kapacitete prodhuese që është e mundur, brenda kufijve të sigurisë teknike dhe stabilitetit operacional, me qëllim garantimin e një prodhimi të qëndrueshëm të energjisë elektrike”, thuhet më tej në njoftim.

Në këtë kontekst, KEK u ka bërë thirrje qytetarëve për përdorim dhe kursim racional të energjisë elektrike, veçanërisht gjatë kësaj periudhe me konsum të rritur, duke theksuar se siguria energjetike kërkon angazhim të përbashkët nga të gjithë.

Share This