
Katër të vrarë pas sulmeve ukrainase ndaj një depoje karburanti në Krime
Të paktën katër persona janë vrarë në sulmet me dronë të Ukrainës ndaj gadishullit të Krimesë, të pushtuar nga Rusia, njoftuan sot autoritetet, ndërsa në rrjetet sociale qarkulluan raportime për zjarre në një depo të madhe karburanti.
Kreu politik i Krimesë i emëruar nga Moska, Sergey Aksonyov, bëri të ditur në Telegram se edhe 28 persona të tjerë janë plagosur.
Një sërë shpërthimesh dhe zjarresh në pjesë të ndryshme të gadishullit u raportuan nga kanale me ndikim në rrjetet sociale. Kanali “Krymsky Veter” njoftoi përmes Telegramit për një zjarr në depon e karburantit në Kerch, port i vendosur në skajin lindor të gadishullit, si dhe për një re të madhe tymi mbi qytet.
Autoritetet rajonale mbyllën gjatë natës urën që lidh Kerçin me territorin rus.
Raportohet se është goditur edhe porti i Kavkaz, në anën ruse të Ngushticës së Kerçit.
Porti ka një terminal karburanti dhe një depo nafte.
Në Krime po vërehet mungesë karburanti.
Guvernatori i Sevastopol i emëruar nga Moska, Mikhail Razvozhayev, shkroi në Telegram se furnizimet me karburant vazhdojnë të vonohen dhe anuloi shpërndarjen e planifikuar të karburantit për shoferët privatë gjatë ditës së sotme.
Ai tha se karburanti është i disponueshëm vetëm për shërbimet zyrtare.
Sektori turistik i Krimesë parashikon se këtë verë miliona turistë do të shmangin gadishullin, një destinacion tradicionalisht i preferuar nga udhëtarët rusë.
Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe e ka përdorur atë si bazë për sulme kundër territorit ukrainas që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt 2022. /atsh/

