Kallas: Rusia po përpiqet të bombardojë ukrainasit deri në nënshtrim

Kallas: Rusia po përpiqet të bombardojë ukrainasit deri në nënshtrim

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas ka paralajmëruar se Rusia po përpiqet të bombardojë ukrainasit deri në nënshtrimin e tyre.

Pas mbërritjes në Bruksel për takimin e ministrave të jashtëm të BE-së, shefja e politikës së jashtme të bllokut, bëri me dije disa nga pikat që do të ishin në fokus të bisedimeve, duke nisur nga marrëdhëniet në zhvillim BE-SHBA, lufta e Rusisë në Ukrainë dhe Lindja e Mesme.

Për sa i përket Ukrainës konkretisht, ajo deklaroi se delegacioni rus në bisedimet me Emiratet e Bashkuara Arabe vijoi të përfaqësonte vetëm personelin ushtarak, “pa mandat për të rënë dakord për asgjë”, duke vënë në pikëpyetje nëse Rusia është vërtet e përkushtuar ndaj procesit të paqes.

Ata po bombardojnë ukrainasit, po përpiqen t’i bombardojnë dhe t’i ngrijnë që të dorëzohen, dhe për këtë arsye po diskutojmë edhe mbështetjen energjetike që mund t’u japim, sepse është dimër shumë i vështirë dhe ukrainasit po vuajnë vërtet. Një katastrofë humanitare po vjen atje. Shqetësimi im është se kemi parë shumë lëshime edhe nga pala ukrainase, por kjo po e turbullon pamjen, sepse Ukraina nuk është ajo që po bën agresionin. Është Rusia ajo që po e bën këtë. Pra, ne duhet të ushtrojmë më shumë presion mbi Rusinë në mënyrë që të shohim lëshime nga pala ruse”, tha ajo.

Në fjalën e saj shefja e politikës së jashtme të BE-së minimizoi idenë e “një ushtrie evropiane”, duke thënë se ajo mbetej një domen për autoritetet dhe hierarkitë kombëtare.

“Në ushtri duhet të kesh një zinxhir komande shumë të drejtpërdrejtë dhe të kuptueshëm, në mënyrë që sa herë që ndodh diçka, të jetë e qartë se kush i jep urdhra kujt. Nëse krijojmë struktura paralele, atëherë kjo thjesht do ta turbullojë pamjen”, tha ajo. /rtsh/

Share This