Kallas mirëpret ndryshimin e pikëpamjes së Trump për luftën Rusi-Ukrainë

Kallas mirëpret ndryshimin e pikëpamjes së Trump për luftën Rusi-Ukrainë

Shefja e çështjeve të jashtme të BE-së, Kaja Kallas tha se mirëpret ndryshimin e pikëpamjes së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për konfliktin midis Ukrainës dhe Rusisë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha dje se besonte që Ukraina mund të rimerrte të gjithë territorin e saj të pushtuar nga Rusia dhe se Kievi duhej të vepronte tani, ndërsa Moska përballet me probleme “të mëdha” ekonomike, në një ndryshim të papritur dhe të habitshëm retorik në favor të Ukrainës.

Trump, i cili u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në konferencën e OKB-së në Nju Jork, ka sinjalizuar vazhdimisht se Kievi mund të duhej të bënte lëshime për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia – rreth tre vjet e gjysmë më parë.

“Jemi shumë pozitivë për këtë, sepse të gjitha këto janë qëndrimet e duhura”, tha Kallas kur u pyet për reagimin e BE-së ndaj deklaratave të Trump në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork.

“Duhet të ndalojmë së bleri energji ruse”, tha Kallas.

Rusia aktualisht kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë gadishullin e Krimesë në Detin e Zi, i cili u aneksua ilegalisht në vitin 2014.

Ndërsa Ukraina arriti të rimarrë territorin e pushtuar në muajt e parë të pushtimit të plotë rus në shkurt 2022, forcat e Moskës kanë ushtruar presion mbi ushtrinë ukrainase përgjatë gjithë vijës së frontit për muaj të tërë, duke avancuar gradualisht.

Zelensky ka refuzuar vazhdimisht të bëjë lëshime territoriale si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa Rusia vazhdon të këmbëngulë për të marrë kontrollin e tyre. /atsh/

Share This