
Juve-Milan, s’ka gola në derbin e madh italian
Në një përballje të fortë dhe plot tension, Juventusi dhe Milani u ndanë në paqe me rezultat 0-0, në ndeshjen e vlefshme për Serie A, duke bërë që “Bianconerët” të mbeten të pamposhtur këtë sezon (3 fitore, 3 barazime), ndërsa “Rossonerët” humbën mundësinë për t’u rikthyer në krye të tabelës.
Massimiliano Allegri, që këtë herë drejtoi Milanin përballë ish-skuadrës së tij, pa një duel të ekuilibruar në fillim të takimit. Christian Pulisic ishte protagonist në minutat e para, kur fitoi topin në gjysmëfushën e tij dhe shpërtheu drejt portës, por rrëshqitja në momentin vendimtar i mohoi një rast premtues.
Santiago Giménez pati rastin më të mirë për kuqezinjtë në pjesën e parë, por goditja e tij u ndal nga portieri Michele Di Gregorio. Nga ana tjetër, Juventusi nuk arriti të krijonte ndonjë rast të pastër shënimi, me Jonathan David që rrëshqiti në çastin vendimtar.
Fraksioni i dytë nisi shumë më i gjallë. Mike Maignan shpëtoi Milanin me një pritje të jashtëzakonshme ndaj Gattit nga afërsia, ndërsa në anën tjetër Pulisic humbi penalltinë që mund t’i jepte avantazhin skuadrës së tij, duke gjuajtur jashtë kuadratit.
Milani e shtoi presionin me kalimin e minutave, ku Rafael Leao provoi edhe një gjuajtje spektakolare nga gjysma e fushës, por pa sukses. Në fund, as ndryshimet taktike nga të dy trajnerët nuk sollën rezultat, dhe skuadrat u ndanë me nga një pikë.
Milan i jep fund serisë prej pesë fitoreve radhazi në të gjitha garat, duke mbetur në vendin e tretë, dy pikë larg kreut.
Juventus, në anën tjetër, zgjat serinë e pamposhtshmërisë në Serie A në 11 ndeshje (6 fitore, 5 barazime), por mbetet pas në garën për katërshen e parë. /Rekordi.net


