
Jehona Lushaku-Sadriu: VV votoi bartjen buxhetore “se s’pat qare”, e frikësuar nga dënimi më 28 dhjetor
Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas votimit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për bartjen buxhetore të Komunës së Prishtinës, të premten në Asamblenë Komunale.
Ajo tha se VV-ja e dha votën vetëm sepse, sipas saj, nuk kishte zgjidhje tjetër.
Reagimi i saj erdhi pasi ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se meritat për bartjen buxhetore i takojnë Vetëvendosjes.
Lushaku-Sadriu e kundërshtoi këtë, duke thënë se VV-ja e kuptoi që qytetarët mund ta dënojnë më 28 dhjetor për “bllokadën e shkaktuar”, prandaj edhe vendosi të votojë këtë pikë në Asamble.
“VV votoi bartjen buxhetore të Prishtinës sot, se nuk pat qare! A po menoni që qytetarët e harrojnë që, pa protesta, VV as në seanca nuk vinte me votu buxhetin?! A nuk ju kujtohet shefi juaj qysh i ka shkulë mikrofonat në seancë për buxhetin? Tash, kur e patët që qytetarët protestuan e dojnë me ju dënu më 28 dhjetor, erdhët dhe i votuat”, ka shkruar ajo.


