Sanchez: Përgjigja e Evropës ndaj luftës në Gaza ka qenë një dështim

Sanchez: Përgjigja e Evropës ndaj luftës në Gaza ka qenë një dështim

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka deklaruar se Evropa ka vepruar me standarde të dyfishta sa i përket luftrave në Gaza dhe Ukrainë, duke rrezikuar minimin e pozicionit të saj global.

Në një deklaratë për The Guardian pak para takimit që do të mbajë këtë të mërkurë (3 shtator) me kryeministrin britanik Keir Starmer në Londër, Sanchez e përshkroi përgjigjen ndaj sulmit izraelit në territorin palestinez si një prej episodeve më të errëta të marrëdhënieve ndërkombëtare në shekullin e 21-të.

Udhëheqësi socialist tha gjithashtu se SHBA-të nën drejtimin e Donald Trump po përpiqen t’i japin fund rendit global të bazuar në rregulla pas Luftës së Dytë Botërore.

Sánchez, udhëheqësi i parë i lartë evropian që akuzoi Izraelin për gjenocid në Gaza, u shpreh se ishte i kënaqur që vendet e tjera evropiane po ndjekin shembullin e Spanjës në njohjen e një shteti palestinez, por pranoi se përgjigjja e Evropës ka qenë e dobët.

Është një dështim. Absolutisht. Është gjithashtu realitet se, brenda Bashkimit Evropian , ka vende që janë të ndara kur bëhet fjalë për mënyrën e ndikimit te Izraeli. Por sipas mendimit tim, kjo nuk është e pranueshme dhe ne nuk mund të zgjasim më gjatë nëse duam të rrisim besueshmërinë tonë kur bëhet fjalë për kriza të tjera, si ajo me të cilën përballemi në Ukrainë. Rrënjët e këtyre luftërave janë krejtësisht të ndryshme, por, në fund të fundit, bota po shikon nga BE-ja dhe gjithashtu nga shoqëria perëndimore. Pse po përdorni standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për Ukrainën dhe kur bëhet fjalë për Gazën?’”, deklaroi ai.

E ndërsa po përpiqet të rivendosë veten në skenën ndërkombëtare dhe të kapërcejë akuzat dëmtuese për korrupsion që kanë goditur administratën e tij dhe kanë nxitur thirrjet për zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, Sanchez deklaroi se po përpiqet të shtyjë Evropën që të përfshihet më shumë, qoftë edhe në ndëshkimin financiar të Izraelit.

Ajo që po shohim tani në Gaza është ndoshta një nga episodet më të errëta të marrëdhënieve ndërkombëtare në shekullin e 21-të, dhe në këtë drejtim ajo që duhet të them është se Spanja ka qenë shumë e zëshme brenda BE-së dhe gjithashtu brenda bashkësisë ndërkombëtare. Brenda BE-së, ajo që kemi bërë deri më tani është të mbështesim pezullimin e partneritetit strategjik që BE ka me Izraelin”, përfundoi ai. /rtsh/

Share This