
Ish-zyrtarët izraelitë i kërkojnë Trumpit të ndërhyjë, duke i dhënë fund luftës në Gaza
Një grup i përbërë nga qindra ish-zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë ish-krerë të Mossadit dhe Shin Bet, i kanë bërë një thirrje të hapur Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të ushtrojë presion mbi Izraelin për t’i dhënë fund menjëherë luftës në Gaza.
Në një letër të hapur, ata theksojnë se Hamasi “nuk përbën më një kërcënim strategjik” dhe se vazhdimi i konfliktit po rrezikon sigurinë e Izraelit.
Thirrja e tyre vjen në një kohë kur Kryeministri Benjamin Netanyahu po konsideron zgjerimin e operacioneve ushtarake në Gaza, ndërsa bisedimet për armëpushim kanë ngecur. Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim të thellë jo vetëm brenda Izraelit, por edhe te aleatët ndërkombëtarë.
Vuajtje dhe izolim ndërkombëtar
Lufta, e cila nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, ka shkaktuar viktima masive dhe vuajtje të tmerrshme. Sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, mbi 60,000 njerëz janë vrarë si pasojë e fushatës ushtarake të Izraelit. Përveç kësaj, mijëra të tjerë, përfshirë fëmijë, kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja, pasi kufizimet e vendosura nga Izraeli kanë penguar hyrjen e ndihmave humanitare.
Gazetarët ndërkombëtarë janë bllokuar nga Izraeli që të hyjnë në Gaza në mënyrë të pavarur, duke e bërë të vështirë verifikimin e plotë të shifrave, por raportet e agjencive të OKB-së flasin për një “skenar të keq urie” që po ndodh aktualisht në territorin e rrethuar.
Apel për veprim
Familjet e pengjeve izraelite kanë kërkuar vazhdimisht që qeveria të japë përparësi lirimit të tyre. Letra e hapur e ish-zyrtarëve mbështet këtë qëndrim, duke theksuar se kthimi i pengjeve dhe ndalimi i vuajtjeve janë prioritetet kryesore.
Ami Ayalon, ish-shef i Shin Bet dhe një nga nënshkruesit e letrës, deklaroi se lufta ishte e drejtë në fillim, por “kur arritëm të gjitha objektivat ushtarake, kjo luftë pushoi së qeni një luftë e drejtë”.
Megjithatë, ende mbetet e paqartë se çfarë presioni do të ushtrojë Donald Trump ndaj Kryeministrit izraelit, pasi ai ka qenë një mbështetës i vendosur i aleatit të tij. Ndërhyrja e ish-zyrtarëve të lartë izraelitë tregon një ndarje të thellë brenda establishmentit të sigurisë në Izrael dhe një izolim në rritje ndërkombëtar për shkak të shkatërrimit masiv dhe vuajtjeve në Gaza. /BBC-RTSH/


