
Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, përballet me akuza për dëshmi të rreme para Kongresit
Një juri federale në shtetin amerikan të Virgjinias ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, që lidhet me dëshminë e tij para Kongresit.
Comey akuzohet për deklarata të rreme dhe pengim të drejtësisë gjatë dëshmisë së tij në shtator të vitit 2020. Ai dyshohet se ka gënjyer për sa i përket rrjedhjes së informacionit të klasifikuar nëpër mediet vendase, se nuk ka pasur rol në të duke u vetëdeklaruar i pafajshëm.
Aktakuza vjen pak ditë pasi Presidenti Donald Trump kërkoi nga Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, që të hetojë më agresivisht kundërshtarët e tij politikë, përfshirë Comey. Hetimi drejtohet nga Lindsey Halligan, prokurorja për Distriktin Lindor të Virgjinias, e cila më parë ka qenë avokate personale e Trump.
Seanca gjyqësore për Comey është caktuar më 9 tetor në Alexandria, Virginia. Bondi deklaroi se aktakuza tregon përkushtimin e Departamentit të Drejtësisë për të mbajtur përgjegjës ata që abuzojnë me pushtetin.
Departamenti i Drejtësisë kërkoi tri akuza, por juria gjykoi se vetëm dy mbështeteshin me prova të mjaftueshme. Comey është i pari ish-drejtor i FBI-së që përballet me aktakuzë penale dhe ka këmbëngulur se nuk ka gënjyer nën betim.
Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me deri në pesë vjet burg. Avokati i tij, Patrick Fitzgerald, tha se Comey i mohon tërësisht akuzat dhe pret të dëshmojë pafajësinë në gjykatë.
Në një deklaratë video, ish-drejtori Comey tha: “Familja ime dhe unë e dimë prej vitesh koston që ka përballja me Donald Trump. Ne nuk do të jetojmë kokulur dhe as ju nuk duhet. Unë jam i pafajshëm. Pra, le të zhvillohet gjyqi.”
Ndërsa Presidenti Trump reagoi në rrjetin e tij social, “Truth Social”: “DREJTËSI NË AMERIKË! Një nga njerëzit më të këqij që ky vend ka njohur ndonjëherë është James Comey, ish-kreu i korruptuar i FBI-së.”
Comey u shkarkua nga Trump në vitin 2017, pasi raportohet se nuk pranoi t’i qëndrojë besnik presidentit të sapozgjedhur amerikan, dhe më pas konfirmoi publikisht para Kongresit se FBI-ja po zhvillonte një hetim mbi përpjekjet e Rusisë për të ndihmuar Trump në zgjedhjet e vitit 2016. /rtsh/


