
Irani paralajmëron SHBA-në: Para se të jetë tepër vonë, kuptoni se rregullat kanë ndryshuar
Irani rrit tonet ndaj Shteteve të Bashkuara, ndërsa konflikti mes dy vendeve duket se po hyn në një fazë të re tensioni. Teherani paralajmëron kundër çdo sulmi të ri, ndërsa sanksionet amerikane po rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi ekonominë iraniane. Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Uashingtonit, duke deklaruar se çdo sulm i ri ndaj interesave apo sigurisë së Iranit do të përballet me një kundërpërgjigje edhe më të ashpër.
“Që tani e tutje, çdo sulm kundër interesave dhe sigurisë së Iranit do të marrë një përgjigje më të shpejtë, më të rëndë dhe më të dhimbshme”, tha Qalibaf në një fjalim të publikuar në Telegram.
Ai u shpreh se Shtetet e Bashkuara duhet të kuptojnë se “rregullat e lojës kanë ndryshuar”, përpara se situata të dalë jashtë kontrollit.
Deklaratat e forta nga Teherani vijnë pasi përplasjet ushtarake kanë rifilluar pas një pauze gjatë pjesës më të madhe të gushtit. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, forcat amerikane goditën të shtunën tre anije cisterna iraniane. Më herët, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kishte lëshuar raketa balistike në drejtim të dy anijeve të Marinës amerikane.
Gjashtë muaj pas nisjes së konfliktit, situata mbetet e tensionuar dhe procesi diplomatik duket i bllokuar. Një marrëveshje paraprake për armëpushim e arritur në qershor është prishur, ndërsa negociatat për rikthimin e paqes nuk kanë sjellë rezultate të rëndësishme.
Një tjetër zhvillim shqetësues lidhet me Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve detare më të rëndësishme për transportin global të energjisë. Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, deklaroi se në ditët në vijim do të shpallet një zonë e kufizuar në ujërat pranë ngushticës. Sipas mediave shtetërore iraniane, zona do të shtrihet edhe në pjesë të Gjirit Persik. Rezaei tha se çdo anije që hyn në këtë zonë mund të përfshihet në një listë sanksionesh. /rtsh/

