
Irani paralajmëron SHBA-në: Do të përgjigjemi menjëherë nëse nuk përmbushni angazhimet
Irani do të përgjigjet menjëherë nëse SHBA-ja përmbush angazhimet që ka marrë nën marrëveshjen e përkohshme të nënshkruar në qershor, tha presidenti iranian Masoud Pezeshkian të martën në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Bishkek, Kirgistan.
Deklarata u bë ndërsa presidenti iranian pritet të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në margjinat e këtij samiti.
Në total, 17 krerë shtetesh dhe qeverish ndodhen në Bishkek për të marrë pjesë në një takim të kësaj organizate, e cila synon të kundërbalancojë ndikimin perëndimor në një kohë kur konfliktet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara po rifillojnë.
Përveç takimit me presidentin iranian, Vladimir Putin pritet të takohet edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, për të diskutuar luftën në Ukrainë.
Organizata e Bashkëpunimit të Shangait është promovuar vitet e fundit nga Pekini dhe Moska dhe synon të kundërbalancojë ndikimin perëndimor, megjithëse shtetet anëtare po përballen me kriza të mëdha.
Dje, të hënën, Vladimir Putin dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping, në margjinat e samitit, lavdëruan marrëdhëniet midis Moskës dhe Pekinit. Të dy vendet kanë forcuar marrëdhëniet e tyre që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022.
“Bashkëpunimi strategjik midis Rusisë dhe Kinës është një model i marrëdhënieve ndër-shtetërore”, tha Vladimir Putin në një deklaratë mirëseardhjeje. Xi Jinping iu referua “perspektivave edhe më premtuese” të bashkëpunimit sino-rus “falë përpjekjeve të përbashkëta të dy palëve”.
Deklarata themeluese e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait siguron se kjo organizatë “nuk është një aleancë e drejtuar kundër shteteve të tjera”. /rtsh/

