Irani paralajmëron hakmarrje ndaj SHBA-së dhe Izraelit

Irani paralajmëron hakmarrje ndaj SHBA-së dhe Izraelit

Teherani ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet ndaj çdo sulmi nga SHBA-të, ndërsa vendi përballet me protestat më të mëdha që nga viti 2022. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, ish-komandant i Gardës Revolucionare, tha se bazat amerikane dhe Izraeli do të jenë objektiva legjitime në rast agresioni, duke paralajmëruar kundër çdo “keqllogaritjeje”.

Protestat nisën më 28 dhjetor për shkak të rritjes së çmimeve dhe shndërruan gradualisht në kundërshti ndaj sundimit klerikal që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Autoritetet iraniane akuzojnë SHBA-në dhe Izraelin për nxitje të trazirave. Forcat e sigurisë janë përballur me protestuesit, ndërsa organizata amerikane HRANA raporton se 116 persona kanë humbur jetën, përfshirë 37 pjesëtarë të forcave të sigurisë. Megjithatë, ndërprerja e internetit po vështirëson marrjen e një pamjeje të qartë të situatës.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian akuzoi SHBA-në dhe Izraelin për destabilizim, duke thënë se armiqtë e Iranit kanë futur “terroristë që djegin xhami, sulmojnë banka dhe prona publike”. Ai bëri thirrje që familjet të mos lejojnë fëmijët e tyre të bashkohen me protestuesit dhe tha se qeveria është e gatshme të dëgjojë qytetarët dhe të zgjidhë problemet ekonomike.

Shteti transmetoi edhe funeralet për pjesëtarët e forcave të sigurisë që kanë humbur jetën gjatë trazirave në qytete të ndryshme të vendit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se SHBA-të janë gati të ndihmojnë protestuesit, duke theksuar se Irani po sheh lirinë “ndoshta si kurrë më parë”. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio diskutuan mundësinë e ndërhyrjes amerikane, ndërsa Izraeli po monitoron situatën dhe është në gatishmëri të lartë.

Ky paralajmërim vjen pas luftës 12-ditore të vitit të kaluar midis Izraelit dhe Iranit, kur Irani kishte sulmuar Izraelin dhe një bazë amerikane në Katar si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane. / Burimi: Reuters

Share This