
Irani ligj për kalimin në Ngushticën e Hormuzit, sipas legjislacionit ndalohen anijet nga SHBA dhe Izraeli
Ligjvënësit iranianë kanë hartuar një projektligj për të rregulluar trafikun përmes ngushticës së Hormuzit, duke përfshirë kufizime për disa anije dhe ndëshkime për shkelësit.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Fars, projektligji, i cili aktualisht po shqyrtohet nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare i Parlamentit Iranian, është një iniciativë e ndarë nga bisedimet me Omanin për transportin tregtar përmes ngushticës.
Legjislacioni përcakton që anijet nga SHBA, Izraeli dhe vende të tjera që Irani i konsideron armiqësore do t’u ndalohet lundrimi në rrugën ujore. Ngarkesat ushtarake ose civile të lidhura me anijet izraelite dhe vende e entitete të tjera që konsiderohen se kanë shkaktuar dëme ndaj Iranit do të ndalohen gjithashtu të kalojnë derisa të paguhet kompensimi, raportoi Fars.
Shkeljet e këtyre kufizimeve do të sjellin gjoba deri në 20% të vlerës së ngarkesës së anijes- shtoi e agjencia e lajmeve, duke bere me dije se për anijet që lejohen të kalojnë ngushticën, qeveria iraniane do të ngarkojë tarifa shërbimi luindrimi, pagesa e të cilave do të bëhet në monedhën iraniane, për të mbuluar kostot e lundrimit të sigurt.
Më herët Irani tha se ishte afër një pakti me Omanin për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit. Teherani u kërkoi gjithashtu Shteteve të Bashkuara t’i jepnin fund bllokadës së tyre detare ndaj porteve iraniane, pasi administrata amerikane paralajmëroi se ajo rrugë ujore do të hapej.
Mes optimizmit në zbehje për një marrëveshje për rihapjen e ngushticës, çmimet e naftës Bruto vazhduan rritjen duke kaluar 80 dollarë për fuçi dhe shumica e aksioneve ra më tej. /rtsh/

