IHMK paralajmëron vërshime lokale pas reshjeve të pandërprera të shiut

IHMK paralajmëron vërshime lokale pas reshjeve të pandërprera të shiut

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit, në disa zona të vendit janë shkaktuar vërshime lokale.

Sipas IHMK-së, situata është më e theksuar në pjesën perëndimore të Kosovës, konkretisht në Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë dhe Klinë, si dhe në disa zona të pjesës qendrore të vendit. Si rezultat i sasisë së madhe të reshjeve, disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre.

“Në ditët në vijim pritet që reshjet e shiut të vazhdojnë me intervale dhe intensitet të ndryshëm, duke rritur mundësinë për paraqitje të vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik”, thuhet në njoftimin zyrtar të IHMK-së.

Instituti bën të ditur se aktualisht lumenjtë kryesorë të vendit, veçanërisht në pjesën qendrore, lindore dhe jugore, përfshirë Ibrin, Sitnicën, Lepencin dhe Moravën e Binçës, kanë shënuar ngritje të lehta të nivelit të ujit.

IHMK u bën thirrje qytetarëve dhe institucioneve përkatëse që të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, veçanërisht në zonat e rrezikuara nga vërshimet.

Share This