Hykmete Bajrami: S’ka mundësi ligjore që kjo legjislaturë ta votojë buxhetin për vitin 2026, shkojmë në zgjedhje

Hykmete Bajrami: S’ka mundësi ligjore që kjo legjislaturë ta votojë buxhetin për vitin 2026, shkojmë në zgjedhje

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve se Kuvendi aktual mund të votojë buxhetin për vitin 2026, duke e cilësuar këtë si “propagandë të Lëvizjes Vetëvendosje”.

Në një postim në rrjete sociale, Bajrami ka theksuar se nuk ekziston asnjë bazë ligjore që kjo legjislaturë të miratojë buxhetin e përgatitur nga Qeveria Kurti, pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila e cilësoi këtë ekzekutiv si uzurpator të zyrave qeveritare.

“Qysh me votu deputët buxhetin e përgatitur nga kolegët e tyre deputetë që kanë rastisur të jenë uzurpator të zyrave të Qeverisë? Qysh deputeti Kurti me prezantu buxhetin dhe mandej ai bashkë me ne me u ulë me votu?!” – ka shkruar Bajrami.

Ajo i ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e propagandës, duke theksuar se prej pesë vitesh në vend po ndodhin “shkelje sistematike të ligjeve dhe të Kushtetutës, në funksion të kapjes së institucioneve”.

Bajrami ka kritikuar edhe përfshirjen e RTK-së në debatet politike, duke i kërkuar pushtetit që “të mos përdorë politikisht 700 familje të gazetarëve dhe stafit që punojnë në transmetuesin publik”.

Sipas saj, Qeveria ka pasur kohë të mjaftueshme për të sjellë buxhetin në Kuvend në legjislaturën e kaluar:

“E buxhetin e Prishtinës me pasë dashtë me aprovu Qeveria e LVV-së, e kish sjellë në Kuvend në legjislaturën e kalur sepse Kuvendi Komunal e ka aprovuar më 9 dhjetor 2024, ndërsa seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës është mbajtë më 20 dhjetor dhe zgjedhjet janë mbajtë më 9 shkurt.”

Në fund të reagimit, deputetja e LDK-së ka kërkuar shkuarjen urgjente në zgjedhje, duke thënë se vendi ka nevojë për një qeveri të re brenda një jave pas rezultateve.

“Mjaft me bllokada! Shkojmë në zgjedhje tani. Ky popull e ky shtet s’duron të mbetet eksperiment i Albin Kurtit,” – ka përfunduar Bajrami.

Share This