Hykmete Bajrami shpërthen pas vendimit të Gjykatës: ZRrE duhet të ndalë zbatimin, Prokuroria të ndërhyjë urgjentisht

Hykmete Bajrami shpërthen pas vendimit të Gjykatës: ZRrE duhet të ndalë zbatimin, Prokuroria të ndërhyjë urgjentisht

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Komerciale, e cila ka pezulluar përkohësisht vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për përjashtimin e rreth 1300 bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka kërkuar që ZRrE të respektojë vendimin e gjykatës dhe të ndalë zbatimin e vendimit të saj, derisa kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të Prokurorisë së Shtetit.

“ZRrE-ja duhet ta pezullojë vendimin për përjashtimin e rreth 1300 bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike, në përputhje me vendimet e Gjykatës, deri në vendimin përfundimtar,” theksoi Bajrami.

Ajo shtoi se nëse kjo nuk ndodh deri nesër, para datës 1 gusht, atëherë organet e drejtësisë duhet të veprojnë:

“Përndryshe, nesër, para datës 1 gusht, Prokuroria duhet të zbarkojë në zyrën e ZRrE-së dhe t’i pyesë: për interesat e kujt po punojnë ata aty?”

Vendimi i ZRrE-së për përjashtimin e bizneseve nga shërbimi universal kishte ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, me përfaqësues të sektorit privat që e kanë quajtur vendim arbitrar dhe të dëmshëm për zhvillimin ekonomik.

Share This