
Hoxhaj nga Kongresi Amerikan kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbajtur një fjalim në Kongresin Amerikan, në Washington D.C., ku ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Në fjalën e tij në Capitol Hill, Hoxhaj ka theksuar se siguria e Ballkanit Perëndimor është kthyer në një çështje kyçe të sigurisë evropiane, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të rajonit në kontekstin e zhvillimeve të reja gjeopolitike.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka bërë të ditur se gjatë adresimit të tij ka kërkuar mbështetje për integrimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike, duke theksuar se stabiliteti i Ballkanit nuk është më vetëm çështje rajonale, por pjesë thelbësore e arkitekturës së sigurisë në Evropë.
“Në fjalën time në Capitol Hill kërkova që Kosova të anëtarësohet në NATO. Siguria e Ballkanit është sot çështje kyçe e sigurisë evropiane”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka shtuar se Kosova, si faktor stabiliteti në rajon, meriton të jetë pjesë e strukturave euroatlantike të sigurisë.


