
Hoxha pas takimit me Hamzën në Prishtinë, thekson nevojën për formimin e shpejtë të institucioneve
Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë.
Hoxha ka bërë me dije se biseda është përqendruar në situatën aktuale politike në vend, sfidat institucionale dhe proceset që pritet të zhvillohen në periudhën e ardhshme.
Ai ka vlerësuar se Kosova ka nevojë për funksionalizimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe për një qasje bashkëpunuese nga spektri politik, me qëllim garantimin e stabilitetit dhe avancimin e agjendës evropiane.
Në takim është diskutuar edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryediplomati shqiptar ka theksuar se dialogu mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe për avancimin e rrugës së tyre drejt Bashkimit Evropian.
Po ashtu, pjesë e diskutimeve ishin edhe proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hoxha shprehu respekt për rolin e tyre historik në luftën për liri dhe pavarësi, duke theksuar njëkohësisht pritjen që proceset gjyqësore të zhvillohen në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtësisë.

