
Hoxha në Forumin e Dubrovnikut: Anëtarësimi në BE, i vetmi drejtim strategjik i Shqipërisë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë më 26–27 qershor në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci, një platformë ndërkombëtare e rëndësishme për dialog mbi të ardhmen e Evropës dhe sfidat globale.
Në edicionin e këtij viti, me temë “Koha e multipolaritetit: Shumë drejtime, një e ardhme”, ministri Hoxha përcolli mesazhin se për Shqipërinë ekziston vetëm një orientim strategjik që garanton të ardhmen e saj: anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Ai theksoi se, ndërsa Shqipëria vijon progresin në procesin e integrimit, vendi mbetet i angazhuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal, mbështetjen e vlerave euroatlantike dhe thellimin e partneritetit me aleatët ndërkombëtarë.
Sipas tij, këto përpjekje synojnë ndërtimin e një Evrope më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të begatë, ku Shqipëria synon të jetë pjesë e plotë si anëtare e Bashkimit Evropian. /atsh/

