
Hoti: Përgjegjësia për aksidentet në KEK duhet të përcaktohet me fakte dhe ligj
Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar lidhur me debatet politike pas aksidenteve tragjike në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), duke kërkuar që përgjegjësia të përcaktohet përmes hetimeve, fakteve dhe kompetencave ligjore.
Hoti ka shprehur ngushëllime për familjen e punëtorit që humbi jetën në aksidentin e fundit, si dhe për familjet e të gjithë punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës.
Përmes një reagimi publik, ai ka kritikuar përdorimin e rasteve tragjike për përplasje politike, duke theksuar se akuzat ndaj institucioneve nuk duhet të bëhen pa u verifikuar paraprakisht rrethanat dhe shkaqet e aksidenteve.
Sipas Hotit, aksidentet fatale të 8 korrikut, 16 dhe 20 gushtit 2026 kanë ndodhur në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, në kuadër të veprimtarisë minerare.
Ai ka sqaruar se mbikëqyrja e sigurisë në punë dhe hetimi i aksidenteve në veprimtarinë minerare janë kompetencë e Inspektoratit të Minierave, që funksionon në kuadër të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), dhe jo e Inspektoratit Qendror të Punës.
“Ne nuk i ikim asnjë përgjegjësie që na takon me ligj”, ka deklaruar Hoti, duke shtuar se qëllimi i sqarimit të kompetencave nuk është zhvendosja e përgjegjësisë nga një institucion te tjetri.
Inspektorati i Punës reagoi pas rastit të fundit
Hoti ka bërë të ditur se edhe pas aksidentit të fundit, Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar menjëherë pas pranimit të informacionit, duke angazhuar inspektorët dhe duke kryer inspektimin në vendin e ngjarjes.
Pas inspektimit, sipas tij, është konstatuar se aksidenti kishte ndodhur në territorin e një miniere të licencuar nga KPMM, ndaj trajtimi i rastit i takon Inspektoratit të Minierave.
Ministri në detyrë ka theksuar se, pavarësisht ndarjes së kompetencave, Inspektorati Qendror i Punës po ndërmerr masa për rritjen e kontrollit dhe sigurisë në vendet e punës.
Ai ka bërë të ditur se gjatë katër muajve të fundit janë intensifikuar inspektimet, me fokus të veçantë në sektorët me rrezik të lartë, ndërsa është avancuar edhe procesi i digjitalizimit të inspektimeve.
“Vetëm në katër muaj, kemi ndaluar punimet në mbi 180 vendpunishte”, ka deklaruar Hoti.
Kërkohet hetim i plotë
Në fund, Hoti ka kërkuar që institucionet përgjegjëse t’i zhvillojnë hetimet deri në përfundim dhe që çdo rast i neglizhencës, shkeljes së rregullave të sigurisë apo përgjegjësisë institucionale dhe individuale të trajtohet në përputhje me ligjin.
Ai ka apeluar që rastet tragjike të mos shndërrohen në mjete të përplasjeve politike, duke vënë theksin te përgjegjësia institucionale dhe respektimi i procedurave ligjore.
“Tragjeditë kërkojnë përgjegjësi, jo përfitim politik”, ka përfunduar Hoti.

