
Homazhe në përkujtim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit
Me homazhe në përkujtim të viktimave, shënohet 24-vjetori i sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001, i cili mori rreth 3 mijë jetë njerëzish dhe ndryshoi përgjithmonë historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti bënë homazhe te pllaka përkujtimore në oborrin e Qeverisë së Kosovës, në afërsi të Kuvendit, duke kujtuar viktimat e ngjarjes së tmerrshme që 24 vjet më parë, tronditi mbarë botën.
Sulmi i 11 shtatorit u cilësua si një nga ngjarjet më tragjike të historisë moderne amerikane. Katër aeroplanë pasagjerësh u rrëmbyen nga anëtarë të organizatës terroriste Al-Kaida: dy prej tyre u përplasën në Kullat Binjake në New York, një në Pentagon, ndërsa i katërti u rrëzua në Pensilvani, pasi pasagjerët tentuan të zmbrapsnin rrëmbyesit, raporton rtk.


