Heqja e masave, hap pozitiv ndaj aspiratave evropiane të Kosovës

Heqja e masave, hap pozitiv ndaj aspiratave evropiane të Kosovës

Heqja e të gjitha masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës shihet si optimizëm i ri për rrugën drejt aspiratave evropiane. Ekzekutivi ka përshëndetur këtë hap, duke theksuar se masat iu vendosën padrejtësisht Kosovës.

Kryediplomati Glauk Konjufca nënvizoi se tani duhet të lëvizet drejt anëtarësimit në BE, duke hapur një fazë të re angazhimi konstruktiv dhe progresi konkret.

Sipas njohësve të politikës, gjatë tri viteve të masave ndëshkuese, Kosova ka pësuar jo vetëm humbje financiare dhe të granteve, por edhe ndikim negativ në imazhin ndërkombëtar.

“Ky vendim është i mirë jo vetëm për institucionet e Kosovës por edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës sepse është hequr një masë, e cila s’ka pasur fare nevojë të vendoset para tri viteve. Më mirë vonë se hiç, është mirë që janë hequr masat qoftë në aspektin ekonomik a politik”, ka thënë Sadik Zeqiri, analist politik.

Organizatave të shoqërisë civile, vendimi i Komisionit Evropian u duket si një hap i rëndësishëm për të ndalur ndikimin negativ që këto masa ndëshkuese kanë pasur gjatë kësaj kohe.

“Është lajm i mirë sepse është konsideruar që arsyet që janë vendosur masat, e që ka qenë situata në veri të vendit, tashmë nuk ekzistojnë dhe rrjedhimisht janë hequr masat. Lajmi i sotëm duhet t’i shërbejë institucioneve të Kosovës për të krijuar një optimizëm dhe dinamikë të re në procesin e integrimit, përfshirë këtu angazhimin sa i përket aplikimit të statusit kandidat për Kosovën ”, tha Njomza Arifi nga “Grupi për Studime Politike dhe Juridike”.

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023, ishin përgjigje ndaj tensioneve në veriun e vendit, ku pakica serbe përbën shumicën, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin. Në atë kohë pati edhe përplasje mes protestuesve të pakicës serbe dhe forcave të sigurisë, përfshirë ushtarët e KFOR-it. /RTK/

Share This