
Haxhiu reagon pas raportimeve për pranimin e provave serbe nga Specialja: Dyshime serioze për paanshmërinë e gjyqtarëve
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar me shqetësim ndaj raportimeve se Gjykata Speciale në Hagë ka pranuar dokumente të dorëzuara nga institucionet zyrtare të Serbisë si prova materiale në proceset gjyqësore.
Përmes një postimi në “Facebook”, Haxhiu e ka cilësuar këtë vendim si të gabuar dhe të padrejtë, duke theksuar se pranimi i dokumenteve nga një regjim që ka kryer krime të rënda në Kosovë përbën një deformim të drejtësisë dhe një fyerje për viktimat e luftës.
“Përdorimi i dokumenteve të prodhuara nga institucionet e regjimit serb është i gabuar dhe i papranueshëm. Nuk mund të ketë besim në dokumente që janë prodhuar nga një aparat shtetëror kriminal, jo për të ndërtuar drejtësi, por për të manipuluar të vërtetën, për të fajësuar viktimën dhe për të amnistuar kriminelin,” shkruan Haxhiu.
Ajo ka theksuar se Departamenti i Sigurisë Shtetërore, Ministria e Brendshme e Serbisë dhe e ashtuquajtura “Kosovë dhe Metohinë” janë struktura që i përkasin një regjimi të dënuar ndërkombëtarisht për krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid dhe spastrime etnike.
Haxhiu ka kundërshtuar edhe arsyetimin e Gjykatës Speciale, e cila në një paragraf të vendimit kishte theksuar se “fakti që disa prova vijnë nga autoritetet serbe nuk përbën, në vetvete, një ndalesë për pranimin e tyre”.
“Ky pretendim tronditës bie ndesh me praktika të etabluara të drejtësisë penale ndërkombëtare,” ka deklaruar ministrja, duke shtuar se kjo qasje ngre dyshime serioze mbi paanshmërinë e gjyqtarëve dhe integritetin e vetë gjykatës.
Në përmbyllje, Haxhiu ka theksuar se kjo gjykatë, duke pranuar prova të tilla, rrezikon të shndërrohet në një instrument të logjikës së mohimit të së vërtetës, duke relativizuar krimet dhe barazuar viktimën me agresorin. Ajo e ka cilësuar këtë veprim si politikisht të papranueshëm dhe jokushtetues për një gjykatë që vepron në emër të Republikës së Kosovës.


