
Haxhiu pret raportuesin e PE-së, Riho Terras: Kosovës duhet t’i hapet rruga drejt negociatave për anëtarësim në BE
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim raportuesin e përhershëm të Parlamentit Evropian për Kosovën, eurodeputetin Riho Terras.
Sipas njoftimit të Presidencës, Haxhiu e falënderoi Terras për angazhimin dhe mbështetjen e tij ndaj perspektivës evropiane të Kosovës, duke theksuar se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të trajtohet pa vonesa të mëtejshme.
Ajo nënvizoi se përparimi i Kosovës duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave, duke shtuar se vendi nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë që do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe nisjes së negociatave për anëtarësim në BE.
Gjatë takimit, Haxhiu prezantoi përparimin e Kosovës në zbatimin e reformave evropiane, forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik, si dhe theksoi bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Bashkimit Evropian.
“Orientimi euroatlantik i Kosovës është i qartë, i qëndrueshëm dhe gëzon mbështetje të gjerë qytetare”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Në takim u diskutua edhe për dialogun Kosovë–Serbi, situatën e sigurisë dhe mungesën e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë. Haxhiu theksoi se procesi i integrimit evropian duhet të mbështetet në zbatimin e marrëveshjeve dhe në përgjegjësi të barabartë për të gjitha palët.
Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimeve për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian.

