Haxhiu pranon amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit

Haxhiu pranon amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka pranuar amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që Presidenti apo Presidentja e vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se këto amendamente synojnë të eliminojnë ngërçet politike që, sipas saj, po e pengojnë funksionimin normal të institucioneve dhe po e rrezikojnë stabilitetin institucional.

“Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre”, ka shkruar Haxhiu, raporton rtk.

Ajo gjithashtu theksoi se i bashkohet thirrjes së presidentes për votimin e këtyre amendamenteve kushtetuese në Kuvend, duke i ftuar deputetët që t’i mbështesin ato.

Propozimi për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit është iniciuar nga presidentja Osmani, me synimin që të shmangen bllokadat politike që kanë shoqëruar procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit në Kuvendin e Kosovës.

Share This