
Haxhiu: Mediat profesionale thelbësore për informim të drejtë
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që, sipas saj, punojnë me integritet për ta mbajtur të saktë dhe të ndershme hapësirën publike.
Ajo ka theksuar se epoka e sotme karakterizohet nga ritmi i shpejtë i informimit, ku sfida për dallimin e faktit nga interpretimi është gjithnjë e më e madhe.
Sipas Haxhiut, roli i mediave profesionale dhe i gazetarëve të përkushtuar mbetet thelbësor për informimin e drejtë të qytetarëve, duke shtuar se kur e vërteta cenohet apo lajmi ngatërrohet me manipulim, qytetari humb orientimin dhe demokracia dobësohet, raporton rtk.
Ajo ka theksuar se hapësira publike ka nevojë për ndershmëri, fakte, verifikim dhe përgjegjësi, vlera këto që, sipas saj, e forcojnë besimin dhe demokracinë.
Në fund, Haxhiu ka falënderuar punonjësit e mediave që verifikojnë faktet dhe i shërbejnë publikut me ndershmëri, duke theksuar se gazetaria me integritet është shërbim për qytetarët dhe Republikën.

