
Haradinaj për Ditën e Veteranit: Sulmi mbi familjen Jashari ndezi rrugën drejt lirisë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar Ditën e Veteranit duke rikthyer në vëmendje sulmin e parë mbi familjen Jashari, i cili, sipas tij, ndezi mobilizimin e përgjithshëm për liri dhe pavarësi.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka theksuar se bashkë me bashkëluftëtarët, ata mposhtën armikun dhe sollën lirinë vendit, me ndihmën e aleatëve.
“Kaluam së bashku ditë të paharruara, me vështirësi e flijime, të pikëlluar kur humbnim shokët, të lumtur kur korrnim fitore. Që nga sulmi i parë mbi familjen Jashari, që ndezi mobilizimin e përgjithshëm për liri e pavarësi, rruga jonë u bë rrugë sakrifice, vendosmërie dhe qëndrese. Bashkë mposhtëm armikun e i sollëm lirinë vendit krah aleatëve”, ka shkruar ai.
Në përfundim, Haradinaj u shpreh: “Urime Dita e Veteranit, ditë krenarie e lavdie. Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut.”


