
Hapet pishina e Gërmi
E vendosur në parkun e njohur të Gërmisë në periferi të Prishtinës, Pishina e Gërmisë mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara nga qytetarët gjatë muajve të nxehtë të verës. Me një kapacitet për mijëra vizitorë, Pishina e Gërmisë zyrtarisht hapi dyert për pushues.
Freskinë në ditët e nxehta tashmë qytetarët do të mund ta shijojnë në zemër të Prishtinës, në pishinën e Gërmisë. Pas vonesës në hapje për shkak të mungesës së theksuar të ujit në burimet e Gërmisë, pishina zyrtarisht të martën hapi dyert për vizitorët.
Kjo pishinë edhe sivjet mbetet një nga destinacionet verore për shumë qytetarë.
“Unë çdo ditë vij në Gërmi dhe unë këtu vij shumë shpesh. Jam shumë i lumtur që sot është hapur”, tha një vizitor.
“Në këto ditë të nxehta të verës na ka munguar pishina, edhe pse sivjet u hap me vonesë pak”, tha vizitori tjetër.
Teksa ndër risitë për këtë vit u tha se është rritja e kapaciteteve.
“Pishina ka kapacitet për 2-3 mijë persona. Ndër risitë është rritja e kapaciteteve të shtretërve, shërbimet e ushqimit, kabinat etj.”, tha Mërgim Mula, menaxher në pishinën e Gërmisë.
Pishina e Gërmisë u tha se edhe këtë vit mbetet një alternativë e përballueshme për qytetarët që nuk kanë mundësi për pushime jashtë vendit.
“Të gjithë ata që duan të freskohen në pishinë, edhe sivjet çmimet janë të njëjta sikurse vitin e kaluar. Për të rritur çmimi është 4 euro, kurse për fëmijë 2 euro. Ndërkaq, në ditët e vikendit, çmimi për të rritur është 5 euro, kurse për fëmijë mbetet 2 euro”.
Nga ky çmim janë të liruar pensionistët, kategoritë e dala nga lufta dhe personat me aftësi të kufizuara.
Pishina do të jetë e hapur deri më 15 shtator. /rtk/


