Hapet pika e kalimit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës

Hapet pika e kalimit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për hapjen e pikës së kalimit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Ky vendim zyrtarizon mundësinë e qarkullimit ndërkufitar ajror të shtetasve në këtë aeroport.

“Me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi hapjen e pikës së kalimit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës për qarkullimin ndërkufitar ajror të shtetasve”, thuhet në vendim.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar katër ministri kyçe: Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të cilat do të koordinojnë punën për funksionimin e plotë të pikës kufitare.

Aeroporti i Vlorës është projektuar për të përballuar flukse të mëdha pasagjerësh dhe për të akomoduar avionë të ndryshëm.

Ajo përmban një pistë të vetme me përmasa 3200 metra gjatësi dhe 60 metra gjerësi, duke e bërë të aftë për të pritur avionë me trup të gjerë, si Airbus A330 dhe Boeing 777.

Ndërtesa e terminalit mbulon 22,000 metra katrorë, e projektuar posaçërisht për të akomoduar rritjen e parashikuar të flukseve të pasagjerëve.

Me hapjen e tij, Aeroporti i Vlorës pritet të shërbejë si një qendër kryesore transporti për Shqipërinë e Jugut. Aeroporti pritet të ofrojë fluturime si sezonale, ashtu edhe gjatë gjithë vitit drejt destinacioneve të ndryshme evropiane.

Share This