
Hamza shpalos zotimet ekonomike: Mbështetje e fuqishme për sektorin privat dhe lehtësira për bizneset
Kryetari i PDK-së dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video të re në kuadër të fushatës zgjedhore, në të cilën prezanton zotimet e tij kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit dhe fuqizimin e sektorit privat.
“Nuk ka zhvillim të shtetit pa sektor privat të suksesshëm”, thekson Hamza, duke nënvizuar se si Kryeministër do të ofrojë mbështetje të madhe dhe konkrete për bizneset në Kosovë.
Në video, Hamza shpalos një sërë masash ekonomike, përfshirë ndryshimin e mënyrës së pagesës së TVSH-së. Sipas tij, TVSH-ja nuk do të paguhet më në kufi, por brenda vendit dhe vetëm pas shitjes së produktit, një masë që synon të lehtësojë ndjeshëm barrën financiare të bizneseve. Po ashtu, ai premton grante investive deri në 30 për qind të vlerës së investimit për bizneset e reja dhe ato në zhvillim.
Hamza paralajmëron gjithashtu investime në kapacitete të reja energjetike, me qëllim uljen e çmimit të energjisë për qytetarët dhe bizneset, si dhe investime të mëdha në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore për të lehtësuar transportin e njerëzve dhe mallrave brenda dhe jashtë Kosovës.
Një tjetër zotim i rëndësishëm i tij është legalizimi i ndërtimeve pa leje, me synimin për të çliruar miliarda euro kapital të ngrirë dhe për t’i dhënë vlerë pronës së qytetarëve.
“Unë jam Bedri Hamza, dhe ky është misioni im: një Kosovë që funksionon për të gjithë”, përfundon ai mesazhin e tij, duke e mbyllur videon me sloganin: “Bashkë. Përpara.”


