Hamza pret ambasadorin e Irlandës, kërkon institucione të reja

Hamza pret ambasadorin e Irlandës, kërkon institucione të reja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur në takim ambasadorin jo-rezident të Republikës së Irlandës për Kosovën, Ragnar Almqvist.

Sipas njoftimit, gjatë takimit kanë biseduar për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Irlandës.

“Hamza shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, si dhe vlerësoi prioritetet e Irlandës si kryesuese e Këshillit të Bashkimit Evropian, duke theksuar se Irlanda mbetet një model frymëzues për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në komunikatën për media, raporton rtk.

Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën politike pas zgjedhjeve dhe nevojën për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

“Hamza theksoi se PDK e mbështet përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian dhe kërkon që edhe Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat. Në përfundim, Hamza ritheksoi se orientimi strategjik i Kosovës mbetet i pandryshuar: anëtarësimi i plotë në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, vazhdon komunikata.

Share This