
Hamasi pranoi pjesërisht marrëveshjen, Trump urdhëron Izraelin të ndalojë bombardimet në Gaza
Donald Trump ka urdhëruar Izraelin të ndalojë “menjëherë” bombardimin e Gazës ndërsa mirëpriti pranimin e pjesshëm të marrëveshjes nga Hamasi për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare.
Hamasi ka rënë dakord të lirojë të gjithë pengjet në këmbim të të burgosurve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite, si dhe të dorëzojë pushtetin qeverisës në Rripin e Gazës, në përputhje me planin e Trump.
Në një deklaratë të premten në mbrëmje, grupi militant palestinez kërkoi negociata të mëtejshme për pjesë të tjera të planit dhe nuk tha nëse do të dorëzonte armët, një pjesë kyçe e propozimit të Trump.
“Bazuar në deklaratën e sapo lëshuar nga Hamasi, unë besoj se ata janë gati për një paqe të qëndrueshme. Izraeli duhet të ndalojë menjëherë bombardimet e Gazës, në mënyrë që të mund t’i nxjerrim pengjet në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë! Tani për tani, është shumë e rrezikshme për ta bërë këtë. Ne tashmë jemi në diskutime për detajet që do të përpunohen. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Gazën, kjo ka të bëjë me paqen e kërkuar prej kohësh në Lindjen e Mesme“, shkroi Trump në Truth Social.
Trump nënvizoi se Izraeli dhe Hamasi janë më afër se ndonjëherë për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Pas mesazhit të presidentit amerikan, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi ndalimin e operacioneve në Gaza. Udhëheqja politike izraelite urdhëroi ushtrinë izraelite të “ngrijë” fushatën për të pushtuar qytetin e Gazës. Në të njëjtën kohë, urdhri drejtuar ushtrisë kërkonte reduktimin e operacioneve në “minimum” dhe me trupat në terren që do të kryejnë vetëm manovra mbrojtëse.
Më herët, Izraeli tha se ishte gati për “zbatimin e menjëhershëm” të fazës së parë të planit të Trump, i cili parashikon lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve, pas reagimit të Hamasit.
“Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë plotësisht me presidentin dhe ekipin e tij për t’i dhënë fund luftës në përputhje me parimet e vendosura nga Izraeli, të cilat korrespondojnë me vizionin e Trump për t’i dhënë fund luftës“, thuhej në deklaratën e Izraelit. /rtsh/


