
Haaland është sulmuesi më i mirë në botë, thotë Guardiola
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka vlerësuar maksimalisht Erling Haaland, duke e cilësuar norvegjezin si sulmuesin më të mirë në botë, ndonëse ende nuk ka konfirmuar nëse ai do të jetë titullar në përballjen e madhe ndaj Liverpoolit.
Haaland po kalon një periudhë jo të zakonshme për standardet e tij, me vetëm dy gola të shënuar në 12 paraqitjet e fundit.
Për shkak të kësaj forme, Guardiola vendosi ta lërë në stol në fitoren 3-1 ndaj Newcastle në Kupën e Ligës, por tekniku spanjoll thekson se besimi ndaj yllit të tij mbetet i palëkundur.
“Nuk e di ende nëse do të luajë nga fillimi, por një gjë është e sigurt: Erling është sulmuesi më i mirë në botë”, ka deklaruar Guardiola.
Rënia e formës së Haaland ka pasur ndikim edhe në rezultatet e Manchester Cityt, që aktualisht ndodhet gjashtë pikë prapa Arsenalit në garën për titullin e Premier League. Megjithatë, norvegjezi vazhdon të mbetet figura kyçe e repartit ofensiv të kampionëve në fuqi dhe një nga lojtarët më të rrezikshëm në futbollin botëror.
Guardiola ka shmangur gjithashtu pyetjet lidhur me të ardhmen e tij në klub, duke rikujtuar se ka kontratë të vlefshme me Manchester Cityn deri në qershor të vitit 2027.
Ndërkohë, i pyetur për deklaratat e tij të mëparshme rreth konfliktit Izrael–Palestinë, Guardiola ka theksuar se i dënon të gjitha luftërat dhe konfliktet globale, duke nënvizuar se, si njeri, ka të drejtë të shprehë ndjeshmëri dhe solidaritet për vuajtjet njerëzore.


