
Gucati: Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e vetëdijshme për pasojat e vendimit të Speciales
Kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se sot, pas dy muajsh, Gjykata Speciale në Hagë, e cila prej gati gjashtë vjetësh po u shërben interesave të Serbisë, do të vendosë nëse do ta kriminalizojë luftën e popullit tonë, ndërhyrjen e NATO-s dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
“Kjo gjykatë njëetnike po vendos për fatin e shtetit tonë shumetnik dhe, me vendimin e saj, mund t’i rrënojë edhe themelet e shumetnicitetit mbi të cilin është ndërtuar Kosova”, ka shkruar ai në Facebook, raporton ER.
Gucati ka shkruar se atje po gjykohen ata që organizuan rezistencën tonë. “Po gjykohen ata që, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, sollën intervenimin e NATO-s dhe koordinuan bombardimin e caqeve serbe. Po gjykohen ata që e shpallën Kosovën shtet të pavarur, shumetnik dhe demokratik”.
“Kjo gjykatë është politike. Edhe vendimi i saj do të jetë politik. Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e vetëdijshme për pasojat e këtij vendimi. Më 16 shtator, veteranët e UÇK-së, së bashku me çdo shqiptar, do ta presin këtë vendim të bashkuar, në Hagë dhe në çdo qytet të Kosovës”, ka theksuar Gucati.

