Goretzka afër largimit nga Bayerni: Dua të largohem për t’u rritur

Goretzka afër largimit nga Bayerni: Dua të largohem për t’u rritur

Milani e ka pasur në ‘radar’ për verën e ardhshme, por e ardhmja e Leon Goretzkës mund të marrë një drejtim tjetër.

Mesfushori gjerman po tundohet seriozisht nga mundësia e largimit nga Bayern Munich gjashtë muaj para skadimit të kontratës së tij, për t’u transferuar te Atletico Madrid.

Në një intervistë, vetë lojtari ka folur hapur për të ardhmen e tij dhe për mundësinë e një aventure jashtë Gjermanisë.

“Ndryshimi i kampionatit është padyshim një mundësi. E gjej emocionuese të shkoj jashtë vendit. E kam menduar dy herë në të kaluarën dhe me vetëdije zgjodha të mos e bëj deri më tani”, u shpreh Goretzka.

Mesfushori i Bayernit pranoi gjithashtu se ndihet në një “zonë rehatie” në Mynih, por një transferim jashtë vendit do të kishte ndikim edhe në zhvillimin e tij personal.

“E di që jam në një zonë rehatie në Mynih. Një kalim jashtë vendit do të ishte një hap i rëndësishëm për rritjen time personale. Përjetimi i diçkaje të re do ta pasuronte jetën time”, shtoi ai.

Kontrata e Goretzkës me Bayern Munich është e vlefshme deri më 30 qershor 2026.

Sipas ‘Sky Sport Germany’, Atletico Madrid ka paraqitur një ofertë prej 5 milionë eurosh për ta liruar lojtarin para përfundimit të marrëveshjes, ndërsa mbetet për t’u parë nëse klubi bavarez do ta pranojë këtë propozim.

Share This