Galatasaray turpëron Juven

Galatasaray turpëron Juven

Juventusi ka pësuar humbjen e parë në UEFA Champions League nën drejtimin e Luciano Spalletti, pasi u mposht me rezultat të thellë 5-2 nga Galatasaray në ndeshjen e parë të fazës “play-off”, raporton Rekordi.net.

Skuadra turke, që po rikthehet në fazën me eliminim direkt për herë të parë që nga sezoni 2013/14, nisi takimin me vrull para tifozëve të saj. Pas disa tentativave të rrezikshme, vendasit kaluan në epërsi kur Gabriel Sara përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e Juves dhe dërgoi topin në rrjetë.

Megjithatë, reagimi i “Zonjës së Vjetër” ishte i menjëhershëm. Portieri Uğurcan Çakır ndali fillimisht goditjen e Pierre Kalulu, por Teun Koopmeiners realizoi nga rikthimi për 1-1. Mesfushori holandez përmbysi gjithçka para pushimit, duke shënuar golin e dytë personal pas një kombinimi të bukur me Weston McKennie.

Në pjesën e dytë, Galatasaray dominoi plotësisht. Fillimisht, Noa Lang barazoi pas një topi të kthyer nga portieri Michele Di Gregorio, ndërsa Davinson Sanchez riktheu epërsinë për vendasit me një goditje nga afërsia pas një goditjeje dënimi.

Situata u përkeqësua për Juven kur Cabal u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë italianët me 10 lojtarë. Më pas, Victor Osimhen përfitoi nga një gabim në mbrojtje dhe asistoi për Lang, i cili realizoi golin e dytë personal për 4-2.

Në fund, Sacha Boey vulosi fitoren me një goditje të fuqishme nga kënd i vështirë, duke i dhënë ekipit të drejtuar nga Okan Buruk një epërsi të madhe përpara ndeshjes së kthimit në Torino.

Galatasaray tani udhëton drejt Italisë me një avantazh komod, ndërsa Juventusi përballet me një mision pothuajse të pamundur për të shmangur eliminimin e dytë radhazi në fazën “play-off”. /Rekordi.net

Share This