
FT: BE heton dyshimet për ndërhyrje të huaja në protestat në Francë
Autoritetet rregullatore të Bashkimit Evropian po shqyrtojnë dyshimet për “ndërhyrje online” dhe “fushata dezinformimi” nga vende jashtë BE-së, të cilat mund të kenë kontribuar në nxitjen e protestave në Francë dhe episodeve të ngjashme të dhunës të regjistruara ditët e fundit në vende të tjera anëtare të Unionit.
Lajmi bëhet i ditur nga gazeta britanike “Financial Times”, e cila citon zyrtarë të sigurisë sipas të cilëve llogari në rrjetet sociale, pro-ruse dhe të ekstremit të djathtë, të lidhura më parë me fushata dezinformimi, dyshohet se kanë shpërndarë video me përmbajtje të dhunshme për të nxitur më tej kaosin.
Sipas burimeve të cituara nga gazeta, hetimet po përqendrohen te mundësia që këto përmbajtje të jenë përdorur për të përshkallëzuar tensionet dhe për të ndikuar në zhvillimet e brendshme në vendet evropiane.
Ndër vendet që dyshohet se mund të kenë lidhje me këto ndërhyrje përmenden edhe Irani dhe Algjeria. /atsh/

