
Zelensky: Rusia zgjodhi përshkallëzimin e luftës gjatë Pashkëve
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka akuzuar Moskën se ka zgjedhur përshkallëzimin e luftës gjatë periudhës së Pashkëve, në vend të një armëpushimi, pasi Rusia ndërmori një tjetër valë të gjerë sulmesh me dronë dhe raketa në territorin ukrainas, sipas BBC.
Sipas autoriteteve, gjashtë civilë humbën jetën dhe rreth 40 të tjerë u plagosën, ndërsa qindra dronë dhe raketa goditën zona të ndryshme të vendit.
Sulmet e mëdha gjatë ditës, që dikur ishin të rralla, janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.
Ky përshkallëzim vjen në një moment kur përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, të udhëhequra nga SHBA-ja, kanë ngecur, pasi presidenti amerikan Donald Trump dhe ekipi i tij e kanë zhvendosur fokusin drejt konfliktit në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, Zelensky u shpreh në një linjë me vlerësimet e inteligjencës britanike se situata në vijën e frontit në lindje është “më e favorshmja” për Ukrainën në 10 muajt e fundit, pasi avancimi i forcave ruse duket se është ngadalësuar. Pavarësisht kësaj, sulmet ajrore nuk kanë ndaluar.
Në rajonin Zhytomyr, në perëndim të kryeqytetit të Kievit, ekipet e shpëtimit kërkuan të mbijetuar nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara. Ndërsa në rajonin e Kievit, një dron u filmua ndërsa godiste një pallat banimi, duke shkaktuar zjarr.
Në Kharkiv, një grua u vra dhe disa persona të tjerë u plagosën rëndë gjatë një prej sulmeve më të mëdha që qyteti ka përjetuar deri më tani.
Zelensky e cilësoi këtë valë sulmesh si një përgjigje të Rusisë ndaj propozimit të tij për një armëpushim të përkohshëm gjatë festës së Pashkëve, që kremtohet nga të krishterët ortodoksë si në Ukrainë ashtu edhe në Rusi.
“Rusët i kanë intensifikuar sulmet, duke e kthyer – atë që duhej të ishte heshtje në qiell – në përshkallëzim të luftës gjatë periudhës së Pashkëve”, shkroi Zelensky në X.
Ndërkohë, edhe Ukraina ka ndërmarrë sulme të thella në territorin rus ditët e fundit, duke shënjestruar veçanërisht infrastrukturën energjetike në veri.
Porti i Ust-Lugës është goditur disa herë me dronë, duke detyruar Rusinë të pezullojë eksportet.
Autoritetet ukrainase njoftuan gjithashtu për sulme ndaj një fabrike industriale në Togliatti dhe një nënstacioni në Taganrog, ndërsa pala ruse konfirmoi një sulm me dron, ku një punonjës u plagos dhe një ndërtesë banimi u dëmtua.
Zelensky theksoi se kërkesa për armëpushim gjatë festave mbetet në fuqi, nëse Moska pranon, dhe se kjo është përcjellë edhe tek të dërguarit e Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Planet për bisedime të reja mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, janë shtyrë dy herë dhe aktualisht konsiderohen “të pezulluara” nga Moska.
Ndërkohë, situata globale mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimet në terren.
Ukraina përballet me rrezikun e mungesës së karburantit dhe rritjes së çmimeve për shkak të konfliktit me Iranin, ndërsa Rusia mund të përfitojë financiarisht nga eksportet e energjisë për të financuar luftën.
Gjithashtu, ekzistojnë shqetësime për mungesë të raketave mbrojtëse amerikane, pasi shumë sisteme “Patriot” janë zhvendosur drejt konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Sa më shumë të zgjasë lufta në Lindjen e Mesme, aq më i madh është rreziku që të marrim më pak armatime”, tha Zelensky, duke e cilësuar situatën si një nga sfidat më të vështira për vendin.
“Fronti mbetet “i qëndrueshëm”, me fitore dhe humbje të vogla territoriale, ndërsa rreziku i një avancimi të madh rus është zbehur”, shtoi ai.
“Megjithatë, fokusi i Ukrainës mbetet aktualisht mbajtja e vijës së frontit, më shumë sesa ofensiva të mëdha”, tha ai. /atsh/


