
Fetoshi: Rubini i të vërtetës
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride, Arben Fetoshi, thotë se dëshmia e sotme në Hage e James Rubin është një moment historik në betejën me Dhomat e Specializuara, që e çmonton narrativën kundër Kosovës përmes “kriminalizimit” të UÇK-së.
Ajo, thotë Fetoshi, rikujton se mbështetja ndërkombëtare për UÇK-në dhe ndërhyrja e NATO-s ishte legjitimuar nga e VËRTETA e krimeve dhe spastrimit etnik të forcave serbe në Kosovë.
Fetoshi, në një postim në Facebook, shkruan se padrejtësia 5 vjeçare ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, është ndër sfidat më të mëdha për Kosovën, si një proces me dimension të thellë politik që ka rrezikuar përceptimin objektiv për luftën çlirimtare në opinionin botëror.
“Duke qenë dëshmitar i drejtpërdrejt krimeve dhe masakrave të forcave serbe, ish-ndihmës sekretari dhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, përmbysi propagandën e “viktimizimit” dhe strategjinë serbo-ruse të manipulimit ndërkombëtar (gaslighting).
Rubin demaskoi atë që Serbia ka tentuar ta fshehë: krimet monstruoze kundër shqiptarëve, duke zhvendosur trupat e viktimave në varreza masive brenda Serbisë, dhe shmangien e përgjegjësisë, duke shpikur akuza kundër UÇK-së”, shkruan Fetoshi.
Ai shton se thelbi i strategjisë propagandistike të boshtit serbo-rus është: sa më shumë riciklim të rrenave kundër UÇK-së, për ta minuar shtetin e Kosovës.
“Dëshmia e ish-zyrtarit më të involvuar amerikan në procesin e lirisë së Kosovës, e demaskoi narrativën serbo-ruse duke sjellë në vëmendje një fakt të thjeshtë: lufta e UÇK-së nuk ishte një “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, por reagim i domosdoshëm ndaj agresionit shtetëror të Serbisë. Ajo ka po ashtu rëndësi aktuale strategjike, në kohën kur Serbia po provon të maskohet si “faktor i paqes” në rajon, dhe kur Rusia po përdor të njëjtat teknika të mohimit e viktimizimit kundër Ukrainës. Pra, një dëshmi/paralajmërim kundër narrativave mashtruese që përdoren si “armë e sofistikuar” në luftën hibride”, shkruan Fetoshi në Facebook.


