
Ellis: Prokuroria ndryshon provat, Zyrapi s’ishte vartës i Krasniqit
Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, ka thënë se nëse trupi gjykues gjykon konform provave, atëherë klienti i tij do të shpallet i pafajshëm.
Ai akuzoi Prokurorinë për ndryshimin e provave, teksa përmendi se ata po tentojnë të mbështeten te pretendimi i tyre që Bislim Zyrapi në nëntor të ’98-ës ka qenë vartës i Krasniqit. Ai ka thënë se trupi gjykues nuk duhet të orientohet drejt preferencave në fragmente e të injorojë dëshmitë e dhëna, raporton rtk.
“Zyrapi i është referuar vetes si shef i Shtabit të Përgjithshëm. Zyrapi ka nënshkruar urdhra në këtë cilësi. Anëtarë të tjerë të UÇK-së, që ishin të informuar me tituj ushtarakë, i kanë drejtuar Zyrapit dokumente me titullin shef i shtabit. Kemi dëgjuar këtu dëshmitarë që i janë referuar Zyrapit si shef i Shtabit”, tha ai, duke përmendur këtu Naim Malokun, Sokol Bashotën dhe Rrustem Mustafën.


