
Dy viktima në Kosovë, këto janë 8 faktet për ethet e Nilit
Specialisti i sëmundjeve infektive në QKUK, Gramoz Bunjaku, ka publikuar tetë fakte kryesore për virusin West Nile, duke shpjeguar simptomat, format e rënda të sëmundjes, diagnostikimin dhe mënyrat e parandalimit.
Sipas Bunjakut, virusi qarkullon kryesisht mes shpendëve dhe mushkonjave, ndërsa njerëzit infektohen aksidentalisht dhe zakonisht nuk e transmetojnë më tej, transmeton Klankosova.tv.
Rreth 80% e të infektuarve nuk kanë simptoma, ndërsa rreth 20% mund të zhvillojnë temperaturë, dhimbje koke, lodhje dhe dhimbje muskulore.
Bunjaku thekson se përgjumja dhe konfuzioni mund të jenë shenja të encefalitit, edhe pa humbje të vetëdijes.
Aktualisht nuk ka antiviral specifik dhe as vaksinë të aprovuar për njerëzit, kurse trajtimi është suportiv, ndërsa masa kryesore parandaluese mbetet mbrojtja nga pickimet e mushkonjave.
Postimi i plotë:
West Nile Virus – 8 fakte që ia vlen të përmenden
1. Virusi qarkullon kryesisht mes shpendëve dhe mushkonjave, ndërsa njerëzit dhe kuajt infektohen aksidentalisht dhe zakonisht nuk e transmetojnë më tej virusin te mushkonjat.
2. Rreth 8 nga 10 persona të infektuar nuk kanë fare simptoma.
3. Rreth 20% zhvillojnë West Nile fever, me temperaturë, kokëdhimbje, lodhje dhe mialgji.
4. Më pak se 1% zhvillojnë formë neuroinvazive: meningjit, encefalit ose paralizë akute flakcide.
5. Encefaliti nuk kërkon domosdoshmërisht humbje të vetëdijes; përgjumja dhe konfuzioni mund të jenë shenja të tij.
6. WNV-IgM në likuor dhe serum është ndër testet kryesore për diagnostikimin e infeksionit neuroinvaziv.
7. Nuk ekziston antiviral specifik kundër West Nile Virus; trajtimi është suportiv.
8. Nuk ka vaksinë të aprovuar për njerëzit; mbrojtja nga pickimet e mushkonjave mbetet masa kryesore parandaluese.

