
Dy nga të akuzuarit serbë për barrikadat në veri pranojnë fajësinë
Në orën 11:30 pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Millosh Radosavleviqit dhe Dushan Drobacit, dy të akuzuarve në rastin e barrikadave të ngritura në veri të Kosovës në dhjetor të vitit 2022.
Gjykata paraprakisht miratoj marrëveshjet për pranimin e fajësisë, të lidhura ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe dy të akuzuarve. Gjyqtari Rrahman Beqiri tha se pranimi i fajësisë është bërë me vullnet të plotë dhe pa asnjë detyrim, ndërsa mbështetet në faktet dhe provat e përfshira në shkresat e lëndës.
Pas miratimit të marrëveshjeve, mbrojtja kërkoi që dënimet e propozuara me burgim të zëvendësohen me gjobë, me mundësi pagese me këste. Avokati i Millosh Radosavleviqit, Boban Petkoviq, tha se klienti i tij ka shprehur keqardhje për veprimet dhe ka treguar gatishmëri për t’iu përgjigjur thirrjeve të gjykatës.
Si rrethana lehtësuese, mbrojtja përmendi gjendjen e vështirë ekonomike të Radosavleviqit, papunësinë dhe faktin se është baba i tre fëmijëve të mitur.
Edhe për Dushan Drobacin, mbrojtja kërkoi që dënimi me burgim të zëvendësohet me gjobë dhe që pagesa të bëhet me këste. Pas përfundimit të seancës, gjyqtari Rrahman Beqiri njoftoi se aktgjykimi për dy të akuzuarit do të shpallet në orën 11:30. /rtk/

