Durmishi: Ura e Ibrit do të jetë e gatshme për qarkullim në shtator

Durmishi: Ura e Ibrit do të jetë e gatshme për qarkullim në shtator

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, të dielën ka njoftuar se ura mbi lumin Ibër po i afrohet përfundimit dhe se do të jetë e gatshme për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve në muajin shtator.

Në një postim në Facebook, Durmishi ka publikuar fotografi nga vendosja e trarëve kryesorë të urës, duke theksuar progresin e shpejtë që është bërë që nga fillimi i punimeve.

“Një muaj e dy ditë prej kur filluam. U betonuan pilotat e betonit, u përgatitën, armuan e betonuan themelet e urës, u përgatitën, armuan e betonuan shtyllat e urës. Dje e sot u vendosën 18 trarë të cilët ishin përgatitur, armuar e betonuar në një punishte në Bair të Mitrovicës,” ka shkruar ai.

Durmishi shtoi se faza përfundimtare e projektit përfshin betonimin e pllakës së urës dhe vendosjen e shtresës së asfaltit.

Ura e Ibrit pritet të ketë një rëndësi të madhe për lidhjen dhe qarkullimin në rajon, duke kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve.

Share This