Drita përmbys Ferizajn, Gjilani ndal Ballkanin, fiton Drenica

Drita përmbys Ferizajn, Gjilani ndal Ballkanin, fiton Drenica

Kanë përfunduar tri ndeshjet e ditës së sotëm në Superligën e Kosovës në futboll.

Drita ka shënuar fitore tejet të rëndësishme me përmbysje ndaj Ferizajt, duke triumfuar 2-1, të dielën pasdite.

Mysafirët e nisën më mirë takimin dhe arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 18-të me golin e Kushtrim Shabani. Një harkim në zonë përfundoi drejtpërdrejt në rrjetë, duke befasuar portierin Faton Maloku dhe duke i dhënë avantazhin Ferizajt.

Reagimi i vendasve nuk vonoi. Në minutën e 36-të, Vesel Limaj realizoi një supergol me goditje të fuqishme nga distanca, duke barazuar shifrat në 1-1. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, pas një loje të hapur me raste në të dyja anët.

Në fraksionin e dytë, Drita rriti ritmin dhe intensitetin në kërkim të golit të fitores. Ky moment erdhi në minutën e 82-të, kur Liridon Balaj u tregua i saktë para portës, duke realizuar për 2-1 dhe duke vulosur përmbysjen.

Pas kësaj fitore, Drita forcon pozitën në krye të tabelës, duke krijuar një diferencë prej pesë pikësh ndaj Ballkanit. Në anën tjetër, Ferizaj mbetet me 32 pikë dhe renditet në pozitën e tetë.

Ndërkohë, Ballkani ka lëshuar dy pikë të rëndësishme në garën për titull, pasi u ndal në barazim 1-1 nga Gjilani.

Skuadra nga Suhareka ishte shumë pranë fitores, pasi mbajti epërsinë minimale për pjesën më të madhe të takimit. Golin e avantazhit e realizoi Almir Kryeziu që në minutën e 11-të, me një goditje të bukur që zhbllokoi sfidën.

Ndeshja u karakterizua nga ritëm i lartë dhe raste nga të dyja skuadrat, por konkretizimi mungoi për një kohë të gjatë. Gjilani u shfaq më këmbëngulës në minutat e fundit, duke rritur presionin në kërkim të barazimit.

Kur gjithçka dukej e mbyllur në favor të Ballkanit, në skenë doli Armend Thaqi, i cili në minutën e 90-të realizoi një gol të bukur ndaj ish-skuadrës së tij, duke vulosur rezultatin përfundimtar 1-1.

Me këtë barazim, Ballkani mbetet në vendin e dytë me 49 pikë, duke mbetur pesë pikë prapa Dritës. Në anën tjetër, Gjilani ngjitet në pozitën e tretë me 43 pikë.

Ndërkaq, Drenica ka arkëtuar tri pikë shumë të vlefshme në luftën për mbijetesë, pasi ka mposhtur minimalisht 1-0 Llapi në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Skuadra nga Skenderaj u paraqit më kërkuese që në pjesën e parë, duke krijuar disa raste të mira shënimi, por pa arritur të gjejë rrugën e golit. Në anën tjetër, Llapi pati disa tentativa sporadike, por pa rrezikuar seriozisht portën kundërshtare.

Fraksioni i dytë solli më shumë ritëm dhe duele në mesfushë, ndërsa momenti që vendosi ndeshjen erdhi në minutën e 70-të. Kreshnik Uka u tregua i saktë para portës, duke realizuar golin e vetëm të takimit dhe duke i dhënë epërsinë Drenicës.

Deri në fund, Llapi u përpoq të reagojë në kërkim të barazimit, por mbrojtja mysafire qëndroi solide, duke ruajtur avantazhin deri në fishkëllimën e fundit.

Pas kësaj fitoreje, Drenica shkon në kuotën e 32 pikëve, po aq sa Llapi dhe, duke e bërë edhe më të fortë garën për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar.

Share This