“Do t’i godasim shumë fort”, Trump kërcënon Iranin dhe paralajmëron kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit

“Do t’i godasim shumë fort”, Trump kërcënon Iranin dhe paralajmëron kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të veprimeve ushtarake ndaj Iranit, duke deklaruar se Uashingtoni do ta godasë Teheranin “shumë fort” pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje mes palëve.

Në një intervistë telefonike për Fox News, Trump tha se SHBA ka ndërmarrë sulme të fuqishme ndaj objektivave iraniane dhe se do të vazhdojë të reagojë ndaj çdo sulmi me dron nga Irani.

“I goditëm shumë fort mbrëmë. Sa herë që ata dërgojnë një dron, ne i godasim shumë fort. Kishim një marrëveshje. Askush nuk e di, por kishim një marrëveshje të përfunduar dhe ata e shkelën. Ata gjithmonë i shkelin marrëveshjet. Kemi pasur 10 marrëveshje me ta, prandaj do t’i godasim shumë fort”, u shpreh Trump.

Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se SHBA do të marrë rolin e “mbrojtësit” të Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të naftës. “Tani do ta ruajmë ne dhe do të paguhemi për ta ruajtur,” tha Trump.

Ai shtoi se Uashingtoni pret të kompensohet për këtë rol, duke argumentuar se forcat amerikane po rrezikojnë jetën e tyre për të garantuar sigurinë e lundrimit në zonë.

“Ne thjesht duam të na rimbursojnë për gjithë këtë, për faktin që po vëmë njerëzit tanë në rrezik”, deklaroi ai.

Komentet e Trump vijnë pasi ushtria amerikane shtoi gjatë fundjavës intensitetin e sulmeve ndaj objektivave iraniane, në një klimë tensionesh në rritje mes dy vendeve. /rtsh/

Share This