
Dita e Alfabetit, Rama: Nën hijeshinë e gërmave jeton kujtesa e kombit tonë
Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka vënë në fokus rëndësinë e gërmave shqipe në ruajtjen e kujtesës dhe identitetit kombëtar.
“Mirëmëngjes dhe në ditën e më të bukurave gërma, nën hijeshinë e së cilave jeton kujtesa e kombit tonë dhe frymon e ardhmja, ju uroj një të diel të qetë”, shkruan Rama në postimin e tij.
Përmes këtij mesazhi, kreu i qeverisë ka përcjellë urimet për ndjekësit e tij, duke e lidhur gjuhën dhe gërmat me identitetin, historinë dhe të ardhmen e kombit.
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe shënohet çdo vit më 22 nëntor dhe përkujton Kongresin e Manastirit, i cili u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor 1908. Ky kongres shënoi një moment historik për gjuhën shqipe, pasi solli unifikimin e alfabetit dhe përshtatjen e shkronjave latine për shkrimin e saj.
Kongresi u zhvillua në Manastir, në atë kohë pjesë e Perandorisë Osmane dhe sot qyteti i Bitolës në Maqedoninë e Veriut, në shtëpinë e Fehim Zavalanit. Në të morën pjesë 50 delegatë dhe 18 vëzhgues. Kryetar i kongresit ishte Mit’hat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi.
Vendimet e Kongresit të Manastirit i dhanë fund përdorimit të alfabeteve të ndryshme dhe hodhën themelet për një alfabet të përbashkët të gjuhës shqipe, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar.
Në Shqipëri, 22 Nëntori u shpall festë zyrtare në vitin 2023. Kjo datë përkujtohet gjithashtu në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në komunitetet shqiptare në diasporë. /rtsh/
