Dita e 33-të e protestës, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë pas tensioneve te Kuvendi

Dita e 33-të e protestës, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë pas tensioneve te Kuvendi

Protesta qytetare ka vijuar edhe këtë pasdite, në ditën e saj të 33-të, me grumbullimin e protestuesve para godinës së Kryeministrisë, vetëm pak orë pas tensioneve dhe përplasjeve me Policinë e Shtetit gjatë protestës së zhvilluar paraditen e sotme para Kuvendit.

Qytetarët u mblodhën fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, prej nga marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë. Gjatë tubimit, protestuesit mbajtën fjalime dhe përsëritën kërkesat e tyre drejtuar qeverisë.

Një nga kërkesat kryesore të protestuesve ishte lirimi i personave të shoqëruar pas incidenteve të ndodhura para Parlamentit.

Gjatë protestës foli edhe një prej protestuesve, Arben Kola, i cili deklaroi se të arrestuarit janë provokuar gjatë përplasjeve me policinë dhe u bëri thirrje qytetarëve të shmangin çdo akt dhune.

“Kjo polici tregon që tani ndodhet para një dileme, t’i shërbejë mafies apo popullit. Duhet të jeni të vëmendshëm e të mos bini pre e provokimeve. Një duartrokitje për të gjithë të arrestuarit, ata janë provokuar nga bandat brenda policisë. Nuk kemi qenë për dhunë, revolucioni është paqësor. Ata po kërkojnë dhunë. Nuk duhet të biem pre e provokimeve”, u shpreh Kola.

Protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si edhe largimin e asaj që e cilësojnë si “kastën e vjetër politike”, të cilën e konsiderojnë përgjegjëse për situatën aktuale në vend.

Pjesë e kërkesave të tyre mbetet edhe anulimi i disa nismave ligjore të qeverisë. Ndër to veçohet kërkesa për shfuqizimin e “Paketës së Maleve”, të cilën organizatorët e konsiderojnë të dëmshme për zonat malore, si dhe shfuqizimi i ligjit për investimet strategjike, që sipas tyre favorizon përvetësimin e pasurive publike dhe zonave të mbrojtura. /rtsh/

Share This