
Dialogu Kosovë–Serbi: Sorensen në Prishtinë dhe Beograd këtë javë
Emisari evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, pritet të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin, ku do të zhvillojë takime me nivelin më të lartë politik në të dyja vendet, mëson RTK nga burime në Bruksel.
Vizita në Prishtinë është planifikuar të zhvillohet të mërkurën. Gjatë qëndrimit të tij, Sorensen pritet të takohet me kryeministrin në detyrë, presidenten e vendit, si dhe me përfaqësues të partive opozitare. Një ditë më pas, të enjten, ai do të udhëtojë drejt Beogradit, ku gjithashtu janë paraparë takime me lidershipin shtetëror. Burimet në Bruksel bëjnë të ditur se agjenda e plotë e vizitës në kryeqytetin serb është ende në proces finalizimi.
Kjo do të jetë vizita e parë e Peter Sorensenit që nga marrja e mandatit të dytë si ndërmjetësues i Bashkimit Evropian në procesin e dialogut Kosovë–Serbi.
Vizita në Prishtinë vjen menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë dhe në një kohë kur në Bruksel ka pritje që, pas formimit të qeverisë së re, procesi i dialogut të rifillojë me intensitet të shtuar.
Ndërkohë, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ndonëse e ushtron këtë funksion për më shumë se një vit, ende nuk ka zhvilluar takime në nivelin më të lartë politik me palët e përfshira në dialog. Sipas burimeve diplomatike, kjo është arsyetuar me rrethanat e ndërlikuara politike në të dyja vendet.
Megjithatë, burime diplomatike në Bruksel bëjnë të ditur se Kallas synon që, pas konstituimit të institucioneve të reja në Kosovë, të thërrasë një takim të liderëve me qëllim të rinisjes së diskutimeve, të cilat kanë mbetur të bllokuara që nga arritja e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. /rtk/


