Dëshmon John Duncan në Hagë: Nuk kam hasur prova për ekzistencën e një Shtabi të Përgjithshëm ushtarak të UÇK-së

Dëshmon John Duncan në Hagë: Nuk kam hasur prova për ekzistencën e një Shtabi të Përgjithshëm ushtarak të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë ish-këshilltari politik i Wesley Clark, John Stewart Duncan në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjatë dëshmisë së tij, Duncan deklaroi se nuk ka pasur asnjë provë për ekzistencën e një Shtabi të Përgjithshëm të UÇK-së sipas kuptimit ushtarak.

Ai tha se ky term është përmendur vetëm në deklarata politike, pa mbështetje faktike nga terreni.

Gjatë kohës që kam qenë në Kosovë, nuk kam parë asnjë dëshmi për një Shtab të Përgjithshëm në kuptimin ushtarak. E kam dëgjuar vetëm në kontekste politike,” tha Duncan.

Dëshmia e tij po merret nga prokurori Matt Halling, i cili u fokusua në rolin e komandantëve të zonave në negociatat për marrëveshjen e demilitarizimit më 17 qershor 1999.

Duncan tha se, sipas aktakuzës, UÇK-ja në vitet ’90 ishte një organizatë e vogël dhe jo e strukturuar, ku titujt ushtarakë shpesh ishin më shumë simbolikë.

Ai shtoi se nuk kishte parë asnjë komunikatë të UÇK-së që të përmendte ekzekutime apo likuidime ndaj “kolaboracionistëve” apo “tradhtarëve të kombit”.

Megjithatë, Duncan pranoi se kishte hasur komunikata të tjera të UÇK-së, të cilat i merrte përmes GDOM-it, Kryqit të Kuq Ndërkombëtar apo shtypit, dhe që përshkruanin UÇK-në si një organizatë të strukturuar dhe si të ardhmen e Kosovës.

I pyetur nëse Hashim Thaçi ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së, Duncan u shpreh se “Jo, nuk kam parë asnjë dëshmi, asnjë provë të kësaj gjëje.”

Ai shtoi se nuk kishte besim se Thaçi mund të bindte ushtarët e UÇK-së dhe se nuk kishte legjitimitet politik në një shoqëri demokratike.

Thaçi nuk ishte zgjedhur nga populli. Ai kishte shpallur një qeveri të përkohshme, por nuk përfaqësonte realitetin politik të Kosovës në atë kohë,” tha Duncan.

Procesi gjyqësor ka hyrë në fazën e paraqitjes së provave nga mbrojtja, e cila nisi më 15 shtator 2025 me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin. Pas tij dëshmoi ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams, ndërsa Duncan nisi dëshminë më 22 shtator.

Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, më 14 shtator në Hagë u mbajt një protestë masive, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare dhe mërgimtarë të shumtë. Procesi gjyqësor pritet të zgjasë edhe në ditët në vijim. /rtsh/

Share This